×
  • Lajme
  • Lajme

    “Mos sulmim”, “respektim të kufijve”, çka përmban “Deklarata e Përbashkët” që Kurti e propozoi në Bruksel?

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 19:54

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike tekstin e deklaratës së përbashkët që e propozi në takimin e dytë në Bruksel me delegacionin e Serbisë. Këta të fundit e refuzuan ende pa e lexuar propozimin e kryeministrit kosovar.


    Në “Deklaratën e Përbashkët për mos agresion, mos sulmim dhe zgjidhje paqësore të konflikteve” flitet për mos sulmim ndërmjet dy vendeve, respektim të kufijeve, çështjen e minoriteteve dhe ndihmë reciproke për procesin e integrimeve evropiane.

    “Në mënyrë reciproke, ne zotohemi të kursehemi nga kërcënimi apo përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit dhe solemnisht marrim për sipër të bëjmë përpjekje në mirëmbesim për të arritur një marrëveshje të përgjithshme, ligjërisht obliguese me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë”, thuhet në deklaratën e propozuar nga Kryeministri Kurti.

    Tutje në dokument që ka tërësisht 6 nene, thuhet se palët duhet të përbahen nga sulmi apo agresioni ushtarak ndaj njëra-tjetrës.

    “Të dyja palët marrin për sipër të respektojnë në mënyrë strikte kufijtë e njëra tjetrës dhe nuk duhet, as tash e as në të ardhmen, të bëjnë ndonjë përpjekje për të okupuar, pushtuar, aneksuar apo kontrolluar ndonjë pjesë apo tërë territorin e njëra-tjetres”, thuhet në dokument.

    Në nenin III flitet për reciprocitetin në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve ku përmendet asociacioni i shqiptarëve në Serbi dhe i serbëve në Kosovë.

    “Palët duhet të punojnë së bashku për të themeluar sistemin më të avancuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave për komunitetin shqiptar në Serbi dhe për komunitetin serb në Kosovë me qëllimin e arritjes së paqes jetëgjatë dhe të qëndrueshme ndërmjet vendeve tona në respektim të plotë të parimeve të reciprocitetit dhe në përputhje me vlerat evropiane dhe aktet ndërkombëtare”, thuhet në pjesën e parë të nenit III.


    Përkitazi me çështjen e pakicave përmenden edhe aktet e ndryshme ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë përfshirë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventën Ndërkombëtare mbi të drejtat civile dhe politike dhe Konventen Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale dhe protokollet e saj të vitit 1959.

    Artikulli i katërt flet për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve duke theksuar se të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme do të zgjidhen në mirëbesim dhe në frymën e bashkëpunimit mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

    Ndërkaq neni pesë parasheh mbështetje reciproke në rrugën e integrimeve evropiane pavarësisht pozicioneve të palëve për njohjen.

    “Pavarësisht pozicioneve të tyre përkatëse mbi njohjen, palët ripohojnë angazhimin e tyre të përbashkët për të qenë anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian në mënyrë që të integrojnë pa vonesë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre në komunitetit euro-atlantik”, thuhet në dokument.

    Në nenin e gjashtë theksohet se ky dokument është i shkruar në gjuhën angleze, serbe dhe shqipe dhe në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje, teksti anglisht ka përparësi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!