×
  • Lajme
  • Lajme

    MPJD i dërgon të llogaritura gabim shpenzimet e Ministres Gërvalla dhe kabinetit të saj

    Reporteri
    15 Korrik 2021 | 18:49

    Autor: Besfort Veseli


    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me kabinetin e saj ka harxhuar gjithsej 6 mijë e 20 euro. Që nga 22 marsi kur mori këto pozita në Qeverinë Kurti II, Gërvalla ka harxhuar 1 mijë e 584 euro. Por, në dokument shpenzimet për bileta e akomodim të ministres Gërvalla janë më të mëdha sesa që i ka përllogaritur MPJD-ja.


    Gazeta Online “Reporteri.net” nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, ka arritur të ketë qasje në shpenzimet e Gërvallës dhe kabinetit të saj në këto muaj që është në pushtet.

    MPJD ka shfrytëzuar ditën e fundit të kohës ligjore për përgjigje në kërkesën e “Reporteri.net”. Ndonëse kanë pasur 7 ditë kohë për të përgatitur përgjigjen, Ministria e udhëhequr nga Gërvalla, ka përllogaritur gabim shpenzimet e bëra nga ministrja dhe ekipa e saj.

    Në total kabineti i Gërvallës dhe vetë ministrja kanë harxhuar në total 6,837 euro e 6,020 siç është llogaritur në dokumentin e dërguar nga MPJD.

    Në dokumentet e përcjellura nga MPJD në adresë të “Reporteri.net”, në këtë periudhë kohore, kryediplomatja kosovare ka harxhuar 964 euro për bileta dhe 620 euro për akomodim.

    Në total, ndryshe nga çthotë MPJD, Gërvalla ka harxhuar 1 mijë e 584 euro e jo 1 mijë e 368 euro.

    Kryediplomatja harxhoi më së shumti për bileta

    Saktësisht e para e MPJD-së shpenzoi 964 euro për bileta për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

    Për dallim nga kryeministri Kurti që s’mori asnjë cent nga mëditjet në udhëtimet zyrtare që i realizoi, Gërvalla nuk ka vepruar njëjtë.

    Ajo ka marrë plotë 748,92 euro mëditje nga udhëtimet zyrtare.

    Kurse, akomodimet gjatë këtyre udhëtimeve, buxhetit të Kosovës i kushtuan 620 euro.

    Në 115 ditët e para të udhëheqjes së diplomacisë, Gërvalla me kabinetin e saj kanë shpenzuar 1 mijë e 300 euro për dreka zyrtare.

    Por, Gërvalla nuk ka bërë asnjë shpenzim tjetër gjatë udhëtimeve të saja ndërkombëtare me kredit kartelen zyrtare.

    I gjithë kabineti i Gërvallës ka paguar 406 euro për derivate.

    Edhe këshilltarët e saj kanë shpenzuar para për mëditje, bileta, derivate e dreka zyrtare.

    Vetëm këshilltari politik i Gërvallës, Lendrit Iljazi, deri më sot ka shpenzuar 1 mijë e 43 euro.

    Ai ka përfituar nëpërmjet mëditjeve 642 euro, ndërkaq për bileta Iljazi shpenzoi 280 euro nga buxheti i vendit.

    Sa i përket akomodimit e shpenzimeve të tjera, Iljazi ka harxhuar plotë 401 euro.

    Në dokumentin e dërguar për Reporteri.net nga MPJD, shefi i kabinetit, Sharr Jakupi, thuhet se në total ka harxhaur 1 mijë e 400 euro.

    Por në fakt, MPJD ka keqllogaritur shpenzimet totale të Jakupit, sepse nga vetë përmbajtja e dokumentit, shihet se Jakupi ka harxhuar 2 mijë e 647 euro.

    Ai vetëm për bileta shpenzoi 1201 euro, kurse për mëditje në udhëtime zyrtare, u shpenzuan plotë 1 mijë e 42 euro.

    Sa i përket akomodimit të shefit të kabinetit, MPJD pagoi gjithsej 386 euro. Ndërsa, për shpenzime të tjera harxhoi 18 euro.

    Gjithsej, kabineti i Ministres Gërvalla për dreka zyrtare shpenzoi 1.300.20 euro, teksa për derivate plotë 406 euro.

    Gërvalla, e cila ka katër muaj që udhëheq dikasterin e MPJD-së si kryediplomate e vendit, në kabinetin e saj janë saktësisht 21 anëtarë duke përfshirë dy zëvendësministra me asistentët e tyre.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!