×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    MPJD jep tender afër 685 mijë euro për blerjen e biletave të aeroplanit, dy kompani ofertuan me çmim të njëjtë, “vonesa” i kushton njërës

    Reporteri
    11 Tetor 2024 | 19:18

    Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë tender në vlerë rreth 685 mijë euro për shërbime të transportit ajror. Përmes kësaj kontrate, kjo ministri planifikon të blejë 1 mijë e 900 bileta aeroplani, me përllogaritjen 360 euro për një biletë, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik figuron se vlera e përgjithshme e kontratës është 684 mijë e 19 euro. Me të njëjtin çmim kanë ofertuar dy kompani: As Travel Club SH.P.K dhe Prime Tours&Travel SH.P.K.

     

    Ministria e ka shpërblyer me kontratë kompaninë e parë. Kontrata është nënshkruar dje.

    “Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin më të përgjegjshëm ndaj njoftimit  të kontratës për aktivitetin e prokurimit të lartëcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj 684,019 euro dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, thuhet në vendimin e autoritetit kontraktues.

    Ndërkohë, tek letra që i është dërguar grupit të operatorëve ekonomikë “Prime Tours&Travel SH.P.K”, theksohet se tenderi i dorëzuar nga kjo kompani është dorëzuar i dyti me radhë.

    “Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana e juaj nuk qe i suksesshëm, ngase tenderi juaj është i dyti me radhë, gjatë dorëzimit të ofertave) në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat e dhëna në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”, thuhet në letër.

    Në dosjen e tenderit theksohet se këto bileta do të blihen në një periudhë 24 mujore apo dy vjeçare.

    “Vlera e biletës prej € 360.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës. Çmimi real do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm ose sisteme online. Kontrata do te bazohet në sasi”, sqarohet në dosje.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!