×
  • Lajme
  • Lajme

    Murati takohet me shefin e BE-së në Kosovë, flasin për krijimin e Fondit Sovran

    Reporteri
    13 Prill 2021 | 14:01

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.


    Në këtë takim është diskutuar për ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit Sovran.

    Sipas komunikatës së MF’së, Murati e ka njoftuar ambasadorin për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.

    “Gjatë takimit u theksua edhe plotësimi i kushteve për disbursim të Mbështetjes Makro-Financiare dhe Mbështetjes Sektoriale Buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën. Të dy përfaqësuesit e institucioneve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.

    Kurse ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog e njoftoi Ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian dhe statusin e tyre, vlerësoi faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatën e MF’së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!