Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka dhënë detaje për arrestimin e 12 zyrtarëve të ATK-së dhe një biznesmeni, duke thënë se Prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës dhe se hetimet kishin filluar qysh në vitin 2020.
Të arrestuar në këtë rast janë: Feim Pulaj, pronar dhe person i autorizuar i bizneseve “BluePlan Kosovo AG” Sh.p.k dhe “LakeSide AG”, si dhe 12 zyrtarët e ATK-së: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama dhe Xhemajl Hertica, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Pas një periudhe të gjatë të hetimeve prokuroria ka ardhur me një përfundim të ngritjes së aktakuzës ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së dhe përfaqësuesve të bizneseve të involvuar në këtë rast. Nga informacionet tona të brendshme disa nga zyrtarët e arrestuar janë të përfshirë në aspektin e procedurave, por mund të mos jenë pjesë në kryerjen e veprës penale, por në këtë rast i mbetet Prokurorisë së Shtetit të bëjë hetimin dhe verifikimin e saktë të zyrtarëve të përfshirë në këtë proces”, tha Murtezaj.
Sipas Murtezajt, si rezultat i veprimeve, është arritur të parandalohet dëmtimi i buxhetit të shtetit në vlerë 2.7 milionë euro.
“Nga momentin i ngritjes se rastit nga ana e ATK-së tek Prokuroria e Shtetit, ka vazhduar bashkëpunumi i mirëfilltë ndërinstitucional, pra edhe një herë e potencoj faktin se rasti është ngritur si rast i dyshimtë për hetim nga ATK-ja, meqë rast me datën 03.07.2020 është inicuar rasti tek Prokuroria Themelore në Prishitnë, ndërsa me datë 27.04.2021 raporti final hetues dhe kallëzimi penal është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës si rezultat i veprimeve me kohë dhe vigjilencë të zyrtarëve të ATK-së është arritur që të parandalohet dëmtimi i buxhetit të shtetit në vlerë 2,7 milionë euro”, tha ai.
Murtezaj deklaroi se rasti është duke u hetuar që nga viti 2020. Ai sqaroi se pas dyshimeve filluan të hetonin tri biznese pasi që disa nga faturat e qarkulluara nga këto biznese ishin fiktive.
Ai theksoi se rasti ishte ngritur menjëherë edhe tek Prokurori i Shtetit.
“Fjala është për një rast që ka filluar që nga fillimi i vitit 2020. Pas paraqitjes së pagesës për rimbursim nga ana e tatimpaguesit, dyshimet zyrtare të ATK-së ishin se kreditimi i TVSh-së i krijuar nga disa fatura të qarkulluara nga ana e tri bizneseve ishin fiktive. Nga momenti i fillimit për dyshime për transaksione fictive, zyrtarët hetues të ATK-së, të cilët vijnë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore, rastin e kanë ngritur edhe tek organet tjera ligjzbatuese, në këtë rast tek Prokuroria e Shtetit”, potencoi tutje.
Murtezaj bën të ditur se rasti është iniciuar në Prokurori më 3 korrik 2020, ndërsa më 27 prill 2021, raporti final është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Ndryshe, 12 zyrtarët dhe biznesmeni janë arrestuar të martën (9 janar 2024) nën dyshimin për disa vepra penale, ndërsa të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.