Kreu u LDK-së, Isa Mustafa është deklaruar para mediave pas takimit që kishte me presidentin e vendit Hashim Thaçi.
Mustafa ka thënë se gjatë takimeve që ka pasur sot me AAK-në, Nismën e partitë jo shumicë ka marrë vullnetin dhe përkushtimin e tyre për krijimin e institucioneve të reja.
Ai në një farë forme ka përjashtuar veten si kandidat i mundshëm për kryeministër, gjersa në anën tjetër ka thënë se vendimi megjithatë do të merret nga organet e LDK-së, shkruan Reporteri.
“Ne do të mbajmë komunikimin me Zyrën e Presidentit, kemi komunikuar edhe sot me AAK-në e Nismën dhe përfaqësuesit e partive joshumicë dhe kemi marrë vullnetin dhe përkushtimin e tyre. Të jeni të bindur se këto subjekte e kalojnë numrin e mjaftueshëm të votave. Ne nesër do ta mbledhim kryesinë e LDK-së. Nuk kemi biseduar për emrin e kryeministrit. Nuk mund ta them sepse duhet para së gjithash ta them në organet e LDK-së. Unë kam disa çështje të mia personale për të cilat jam i kujdesshëm”, tha Mustafa.
Mustafa tutje ka thënë se beteja me pandeminë dhe dialogu do të jenë dy sfidat kryesore të Qeverisë së re, gjersa ka premtuar se institucionet e reja do të krijohen më shpejtë sesa ato me VV-në.
“Nuk e kemi lehtë, kemi shumë probleme përpara. Pandeminë dialogun, sfida që nuk janë shumë të dëshirueshme. Kësaj radhe do të jetë shumë serioze nëse na duhet të zgjatim. Besoj se do të bëhet më shpejt. Do të dëshiroja që kësaj radhe Qeverinë ta votojnë të gjithë sepse kemi dy synime të mëdha: ta fitojmë betejën me virusin dhe dialogun. Nëse arrijmë ta përmbyllim dialogun, ta anëtarësojmë Kosovën në OKB ne e kryejmë punën tonë pa marrë parasysh se si do të dalim pastaj me vota”, përfundoi Mustafa. /Reporteri.net
https://www.facebook.com/reporteri/videos/677837126368999/