Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për takimin e sotëm me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Mustafa ka thënë se me Vetëvendosjen kanë diskutuar për mundësitë e bashkëqeverisjes, si dy subjekte që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit.
Megjithatë, Mustafa është shprehur se duhet pritur rinumërimi i të gjitha votave në mënyrë që të dihet se cili është subjekti i parë që ka dalë fitues në zgjedhjet e së dielës, shkruan Reporteri.net.
“Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.
Në fund ai ka shtuar se vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së.
Postimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar qytetarë
U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje.
Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri.
Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM