×
  • Lajme
  • Lajme

    VV insistojnë në zgjedhje të reja pas përmirësimit të situatës me coronavirus

    Reporteri
    08 Maj 2020 | 19:19

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet e kërkuara nga ky institucion, lidhur me dekretin e presidentit rreth çështjes së mandatarit. Deputetja e Vetëvendosjes u shpreh e bindur se vendimi i gjykatës do të jetë në favor të kësaj partie, meqë siç tha ajo, shkeljet e presidentit Hashim Thaçi janë të shumta.


    Nagavci tha se edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka përcjellur komentet e saj në kushtetuese.

    Nagavci, ndër të tjera tha se presin zgjedhje të reja në Kosovë menjëherë pas normalizimit të situatës së krijuar nga koronavirusi.

    “Presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili besojmë që është në favor të kërkesës sonë dhe porsa të jetë ky vendim, situata tutje ne presim të kemi një përmirësim edhe më tutje të situatës me pandeminë covid-19 dhe sapo të krijohen kushtet, të shpallen zgjedhjet e reja”, tha ajo.

    Ajo tha se shkeljet e presidentit Thaçi janë të rënda, andaj besojnë fuqishëm që të gjitha argumentet juridike janë në anën e tyre.

    Nagavci shtoi se presidenti i ka tejkaluar të gjitha kompetencat e tij, meqë siç tha ajo, ka favorizuar parti politike dhe ka vepruar për interesa personale.

    “Ne besojmë fuqishëm që të gjitha argumentet juridike janë në anën tonë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një shkelje, janë disa shkelje, presidenti Thaçi jashtë kompetencave të tij kushtetuese ka tejkaluar fituesin e zgjedhjeve duke propozuar një kandidat të një subjekti që nuk është fitues i zgjedhjeve dhe kanë shkelje të tjera për të cilat ne besojmë fuqishëm që gjykata Kushtetuese nuk mund të mos i marrë parasysh”, tha ajo.

    Sipas Nagavcit, presidenti Thaçi në mënyrë jo kushtetuese ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga e drejta e saj për të dërguar emrin e kryeministrit.

    Gjithashtu, ajo tha se Thaçi ka presupozuar që Vetëvendosje ka tejkaluar afatet, e që të njëjtat nuk janë të përcaktuara në kushtetutë. /KP

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!