×
  • Lajme
  • Lajme

    Nagavci: Nuk ka dilemë, do t’i lirojmë zyrat

    Reporteri
    30 Maj 2020 | 0:21

    Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se uzurpimi i zyrave nuk është dhe as nuk ka qenë kurrë opsion i Vetëvendosjes.


    Nagavci, në “Interaktiv”, tha se nëse votohet Qeveria Hoti, do të lirojnë zyrat e Qeverisë.

    “Kjo nuk ka asnjë dilemë, besoj. Zyrat janë objekte fizike, nuk është ideja jonë që të mbajmë më dhunë zyrat dhe institucionet. Qeveria Kurti ka bërë punë të jashtëzakonshme, duke nxjerr me më shumë se 200 vendime. 50 ditë si qeveri e rregullt dhe 50 ditë si qeveri në detyrë në ato objekte… në pjesën më të madhe të kohës është punuar gjithë kohës në to. Por fatkeqësisht u bënë bashkë 82 deputetë, partitë humbëse dhe rrëzuan një qeveri të ligjshme. Ata janë të vetëdijshëm se vazhdimi i punës i Qeverisë Kurti do të shpërfaqë dallimin me qeverisjet e mëhershme”, tha ajo.

    Ajo ka folur edhe për kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani. Ka thënë se nuk është diskutuar që VV-ja si parti fituese të marrë postin e kryetarit të Kuvendit.

    Nënkryetarja e Kuvendit, deputete e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, vlerëson se i mandatuari Avdullah Hoti për kryeministër nuk do të punojë për interesa të qytetarëve.

    “Nuk e di a ka qytetar që beson se Hoti po bëhet kryeministër për të luftuar korrupsionin apo zhvilluar vendin. Ai do të kryej detyrën dhe vendi shpejt do të shkojë në zgjedhje të reja. Planet që po përgatiten nuk janë të mira për vendin”, u shpreh Nagavci në Interaktiv.

    ajo thotë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të parë veprimet e ardhshme që do të ndërmarrin, porse, ka konfirmuar se do të ketë protesta.

    “Veprimet do të jenë të gjitha mjetet demokratike, pra hapa demokratik. Do të shohim çka do të ndodhë tutje. Të shohim kur të dalë aktgjykimi i plotë i kushtetueses e seanca në Kuvend për votimin e qeverisë së re. Nuk e kemi parë marrëveshjen me Listën Serbe nga ata që po synojnë krijimin e qeverisë së re, e me të tjerat parti po”, tha Nagavci .

    Sipas saj, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka shkuar kërkesa për seancë.

    Nagavci, tha se qytetarët do të njoftohen edhe për aktivitetet që do të ndërmerren.

    Tentimi për të bllokuar seancën e Kuvendit, sipas Nagavcit, “njëherë nuk është opsion”, porse ka shtuar se ‘do të ndërmerren veprime demokratike’.

    Nagavci gjithashtu tha se qytetarët janë të interesuar edhe për protesta.

    “Patëm edhe dy test protesta. Do të jemi të kujdesshëm dhe besoj se do të kemi protestë. Sigurisht, është kërkesë e qytetarëve dhe do të ketë protestë. Qytetarët janë të mllefosur me atë që po ndodh”, u shpreh ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!