×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndarja ‘televizive’ mes LDK-së dhe VV-së, a do të ndodhë edhe ajo zyrtare

    Reporteri
    16 Janar 2020 | 13:13

    Po bëhen një javë që Isa Mustafa dhe Albin Kurti nuk janë takuar. Që nga ajo kohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkëmbyer nga një letër, përfundimtare sipas tyre, në negociatat për një koalicion qeverises.


    Të dy këto letra, që përmbanin oferta për koalicion, u refuzuan nga palët. Pra Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e deshi rritjen e numrit të ministrive, me kushtin që VV-ta mbajë postin e Kryetarit të Kuvendit.

    LDK e deshi për një vit Kryetarin e Kuvendit, dhe kur të zgjidhet Presidenti nga radhët e tyre, t’ia kthejnë VV-së. Këtë ofertë e refuzoi VV-ja, shkruan Reporteri.

    Por, të dy refuzimet ishin mediale. Mustafa e bëri refuzimin përmes një paraqitje të rastësishme mediale, duke thënë se presin përgjigje nga Vetëvendosje. Ai tha se do të dëshironte një takim të fundit.

    Nga Vetëvendosje nuk i kanë kthyer përgjigje zyrtarisht LDK-së, në ofertën e fundit. Refuzimin e kanë bërë në studio televizive.

    Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në Rubikon të KTV-së, ka theksuar se nuk ka kthim prapa.

    “Ne nuk mund të kthehemi as para 6 tetorit, as para 26 dhjetorit. Për ne ishte e papranueshme qasja e tillë dhe rrjedhimisht nuk kemi pranuar të përzihej çështja e presidentit. Kanë qenë rrethana të tjera para zgjedhjeve. U përfshi çështja e presidentit atëherë sepse ne menduam një mandat tetëvjeçar. Sot po flasim për katërvjeçar. S’mund të flasim për situata para 6 tetorit”, ka thënë ajo.Haxhiu ka thënë se arsye tjetër pse VV-ja ka refuzuar përfshirjen e postit të presidentit në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishte se nuk mund “të jepeshin votat bllanko pa ditur një kandidat”.

    Ndërkohë edhe Isa Mustafa ka thënë dje se nuk kanë ofertë tjetër.

    “Nuk shoh arsye të ulemi të bisedojmë tre orë dhe të dalim si memec para jush dhe qytetarëve. Takimi i radhës mbahet vetëm për t’u arritur marrëveshja që ne t’u bëjmë të qartë partive, qytetarëve e opinionit se ne u morëm vesh apo jo, e jo veç për t’u ulur veç sa per të biseduar dhe për të konstatuar se nuk arritëm asgjë”, tha Mustafa, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se do të bëjnë përpjekje që të arrihet marrëveshja, ndërsa tha se nuk e kanë shqyrtuar ofertën e VV-së. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!