Disa banorë të Vitisë kanë dalë për të protestuar sot para zyreve të KESCO-s, për shkak të reduktimeve me energji elektrike.
Ata dëgjohen duke u ankuar se problemi nuk po rregullohet tash e sa ditë dhe se kjo po u shkakton telashe në shtëpitë e tyre.
Në vendngjarje shihet edhe policia.
“Zgjidhja është emergjente. Nuk ka hapësirë të thuhet pritni se do të stabilizohet, se nuk po ndodhë”, thonë ata.
Gjatë ditës së sotme Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ndërrimit të moteve të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur.
Edhe pse ka thënë se janë angazhuar që konsumatorët të kremtojnë me drita, kompania ka bërë thirrje që të kihet kujdes me ngrohjen me energji elektrike.
Në komunikatë janë përmendur pesë rajone që thuhet se paraqesin sfidë si pasojë e mbingarkesës.
“Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara”, u tha në njoftim. /Reporteri.net/