Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është duke qëndruar në Kosovë për vizitë zyrtare, ku edhe ka folur në lidhje me liberalizimin e vizave.
Cramon është shprehur se ndihet e turpëruar për atë që qytetarët e Kosovës kanë pritur kaq gjatë për liberalizimin e vizave, sepse sipas saj kriteret ishin përmbushur që në vitin 2018.
“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, ajo tha se liberalizimi i lehtëson disa gjëra duke mundësuar që secili të ketë qasjen e njëjtë në Bashkimin Evropian, por ajo që duhet të krijomë është perspektiva ekonomike në Kosovë, e që duhet të ketë nxitje për vetëpunësim, vende pune të paguara mirë.” – ka thënë Cramon në RTK.
Ajo tutje ka thënë se në Kosovë është takuar me palë të ndryshme dhe me njerëz të ndryshëm edhe nga opozita edhe nga qeveria, duke shtuar se është një pamje paksa e përzier dhe ka shumë rrugë për tu bërë dhe ka një lloj niveli të frustrimit, në kuptimit e gjërave që nuk po ecin në mënyrën që do të duhej të ecnin.
Ajo tha se niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes, por edhe te të drejtat që opozita i gëzon.
“Në njërën anë është një gjë e mirë, ka një shumicë stabile në parlament, në anën tjetër, megjithatë niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes por edhe të drejtat që opozita i gëzon dhe pastaj trajtimi se si ndërveprohet me opozitën dhe në këtë pikë do të thosha se gjerat do të mund të përmirësoheshin.” – ka thënë Cramon.
Ndër të tjera, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian ka thënë se do të donte të shihte që gjërat të lëvizin drejt integrimit evropian për çka duhet më shumë angazhim e përkushtim nga ana e qeverisë.
Kurse sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, eurodeputetja u shpreh se është e vështirë të parashikohet një gjë e tillë, por ajo që duhet, sipas saj, është presioni i madh nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të sigurohet që situata të tilla si ajo e Banjskës të mos përsëritën më, dhe që të shihet që edhe Serbia do ti përmbush zotimet e saj në kuptimin e njohjes.
“Ajo çfarë duam të shohim dhe po punojmë në këtë drejtim, është pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhe se qasja selektive që Serbia ka zgjedhur nuk është e pranueshme.” – ka thënë ajo.
Von Cramon tha se Kosova duhet ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se pa implementimin e tij do të jetë shumë e vështirë që të ecet përpara.