Pas “Rrugës A”, investimi për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, konsiderohet nga Komuna si ndër projektet më madhore. Procedura për ndërtimin e këtij nënkalimi, aktualisht ndodhet në fazën e prokurorimit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Nga Komuna e Prishtinës kanë njoftuar për Gazetën Online Reporteri.net se aktiviteti i prokurimit është në fazën e vlerësimit të ofertave dhe se posa të përfundojë vlerësimi i ofertave do të bëhet e ditur kompania fituese që do kryejë punimet.
“Aktiviteti i Prokurimit për “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”, është në fazën e vlerësimit të ofertave, posa të përfundoj vlerësimi i ofertave, do të publikohet fituesi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Në zgjedhjet e vitit 2021, kryetari aktual Përparim Rama, në mesin e premtimeve të tij në fushatë e kishte edhe këtë projekt.
Punimet për ndërtimin e tunelit i cili nis nga teatri i qytetit deri te objekti i vjetër i Komunës dhe nga Xhamia e Madhe në drejtim të gjimnazit “Sami Frashëri”, ishin paralajmëruar se do fillonin në vitin 2024.
Madje, në fund të prillit të këtij viti, kryetari Rama tha se tuneli në rrugën “Agim Ramadani” ishte në fazën e prokurimit.
Sipas detajeve që kishte ndarë pak kohë më parë drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, ky projekt pritet të kushtojë rreth 4-5 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në pranverën e vitit të ardhshëm, në vitin 2025.
Bazuar në planin e tij, në këtë pjesë do të zhvendoset komunikacioni në pjesën e poshtme, ndërsa në pjesën e sipërme do të jetë një hapësirë e lirë për qytetarët.
Përparim Rama në vazhdimësi është kritikuar për punën e tollovisë në trafik dhe ka premtuar se do ta përmirësojë këtë problem të kryqytetit.
“Ndërtimi i tunelit “Agim Ramadani” tanimë është në fazën e prokurimit. Ky tunel transformues do të shkarkojë komunikacionin në qendër të Kryeqytetit dhe do të ndërlidh Prishtinën e Vjetër me sheshet Ibrahim Rugova, Skenderbeu, Zahir Pajaziti, Xhorxh Bush e deri te Katedralja. Në këtë mënyrë po krijojmë më shumë hapsira për këmbësorë e gjelbrim, ajër më të pastër e jetë më të shëndetshme për qytetarët ”, kishte shkruar Rama në facebook, me 24 prill.
Hartimi i këtij projekti ka kushtuar 185 mijë euro. Në dosjen e tenderit, si arsyetim për ndërtimin e këtij tuneli, ishte dhënë edhe zhvillimi dhe gjallërimi i Zonës Historike./Reporteri.net/