×
  • Lajme
  • Lajme

    Në shtator Kurti e Vuçiç takohen në Paris, do të diskutojnë për Asociacionin dhe korrigjimin

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 12:45

    Në shtator të këtij viti në Paris të Francës do të mbahet konferenca e radhës në mes të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Serbisë, nën prezencën e presidentit francez, Emmanuel Macron, mëson Albanian Post.


    Takimi i tanishëm është një takim i planifikuar të mbahej shumë më parë dhe me figura të tjera politike. Por, pas atij në Berlin, atëbotë kryeministri Ramush Haradinaj kishte bllokuar procesin me refuzimin për largimin e taksës. Bllokim që shkaktoi irritim dhe pakënaqësi – që vazhdon ende – te qeveria franceze për Haradinajn.

    Takimi në mes të delegacionit të Kosovës në krye me Albin Kurtin dhe atij serb me Aleksandër Vuçiç-in, do të jetë edhe një tentim për relaksim raportesh në mes të dy vendeve, meqë aktualisht nuk ka takime te delegacioneve as në Bruksel.

    Përveç mikpritësit Macron, në tryezën e bisedimeve do të ketë edhe liderë dhe përfaqësues të shteteve të tjera, përfshirë këtu edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu Rusisë.

    Tema diskutimi do të jenë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe po ashtu korrigjimi.

    Kosovës do t’i kërkohet të formojë Asociacionin, ashtu siç ishte pajtimi fillestar në Bruksel.

    Meqë në Kosovë tashmë ka një qeveri të re, kjo konferencë do të shërbejë edhe si njoftim i ndërkombëtarëve me qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, pasi ende e kanë të paqartë pozicionin e tij me Asociacionin dhe korrigjimin e kufijve.

    Albanian Post kupton se Kosovës do t’i kërkohet Asociacioni dhe do të kërkohet në parametrat në të cilët ishte nënshkruar në Bruksel.

    Kjo ka qenë prej kohësh edhe kërkesa e vazhdueshme e Serbisë tek autoritetet e Bashkimit Evropian.

    Pikëpamja e Serbisë është që Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

    Por, Kurti e ka quajtur një kërkesë të tillë si të papranueshme. Ai i është referuar edhe Kushtetutës së Kosovës, derisa ka thënë se “nuk mund të kemi Asociacion një-etnik”.

    Këtë deklaratë  kryeministri i Kosovës e kishte shprehu në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

    Një tjetër temë, është edhe ajo për të pagjeturit dhe varrezat masive në Serbi, proces që kryesisht bartet nga Kryqi i Kuq.

    Takimi në Paris është përpjekja e radhës për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

    Raporti mes dy vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit dhe gjithashtu ka një rëndësi të madhe për perspektivën e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE.

    Nga burimet në Bruksel, mësohet po ashtu se një takim tjetër, i një natyre formale, mes Kurtit e Vuçiç do të mbahet në Bruksel para këtij të Parisit.

    Edhe Miroslav Lajçak, i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pas vizitës në Ballkan, kishte thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç pritet të ndodhë brenda disa javësh, por një datë nuk është dhënë.

    Gjithsesi, vullnet për t’u takuar kanë shprehur të dy liderët.

    “Kurti më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiç. Vuçiç më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, pati treguar Lajçak.

    Takimi i radhës mes Kurtit e Vuçiç do të jetë i dyti mes tyre, pas atij në fillim të vitit të kaluar në Berlin. Takimi, që më pas u tha se ishte i ashpër, pati bërë bujë të madhe, meqë u nxor një video e Kurtit duke mbajtur fjalimin e tij, diçka që nuk duhej të ndodhte, meqë rregullat e takimit ishin që ajo çfarë bisedohet aty nuk duhet të dalë në publik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!