×
  • Lajme
  • Lajme

    Në vend të serbit të shkarkuar, Haradinaj emëron ministre boshnjaken Adriana Hoxhiq

    Reporteri
    12 Prill 2019 | 9:34

    Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, ka emëruar boshnjaken Adriana Hoxhiq si ministre të Administrimit të Pushtetit Lokal, në vend të ish-ministrit të shkarkuar serb, Ivan Teodosijevic.

    Haradinaj e ka vlerësuar lartë angazhimin e ministres së emëruar, duke thënë se kontributi i saj krijoi ura ndërmjet komuniteteve, shkruan Reporteri.net.

    “Sot emërova Adriana Hoxhiq, ministre të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila shquhet për angazhimin e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Është i njohur gjerësisht kontributi i saj në krijimin e urave të komunikimit dhe mirëbesimit ndërmjet komuniteteve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Ky vendim vije pas mbetjes vakant të postit të ministrit që nga shkarkimi i ish-ministrit serb Teodosijevic, i cili u largua nga puna pas deklaratave skandaloze.

    Teodosijevic, duke folur për kohën e luftës, tha se masakra e Reçakut ishte mashtrim dhe quajti shqiptarët gjakpirës.

    Kësaj deklarate i reaguan të gjithë në Kosovë, mirëpo në Serbi ai gjeti mbështetje. Madje edhe presidenti Aleksandar Vucic tha se Teodosijevic “u shkarkuar pasi tha një të vërtetë”, duke shtuar edhe ai se “masakrën e Reçakut e shpiku William Walker”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!