×
  • Lajme
  • Lajme

    Nënkryetarja e VV-së arsyeton shtrëngimin e duarve të Kurtit me Thaçin: Nuk është pajtim për gjithçka e me këdo

    Reporteri
    17 Shkurt 2020 | 22:30

    Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ndërsa ka komentuar shtrëngimin e duarve mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se shtrëngimi i duarve në aktivitete ceremoniale nuk janë pajtim për gjithçka e me këdo.


    Ajo ka thënë se bashkë duhet punuar me ndershmëri e dashuri për vendin, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i saj:

    Gëzuar 12 vjet Pavarësi Kosovë!

    Në ditë festash kemi gëzim e shpresë.

    Ndjejmë dhimbje e mall për ata që s’i kemi pranë, vlerësim e respekt për ata që sakrifikuan më të shtrenjtën nga vetja që ne të festojmë në liri.

    Zakonisht festat i kalojmë me familjar e miq, por festat si kjo e sotmja edhe në aktivitete nderimi!
    Për vite tashmë kemi marrë pjesë në homazhe e nderime me bashkaktivistët e Lëvizjes. Sot jemi me të njejtat ideale e synime, për një shtet të zhvilluar, me integritet e sovranitet të plotë, për mëmëdheun e pavarësinë si projekt të pafund, të pandalshëm e të përhershëm.

    Sot filluam aktivitetet me ngritjen e flamurit, me nderime e vendosje kurorash në Kompleksin “ Adem Jashari” në Prekaz, tek varri i ish Presidentit, dr. Ibrahim Rugova, tek varri i Veprimtarit të Çështjes Kombëtare, Adem Demaçi, morëm pjesë në Seancën Solemne në Parlament ku na nderuar me pjesëmarrje edhe figura të njohura nga bota e artit, kulturës, sporit, biznesit etj,
    Vijuam me Aktivitete në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe në mbrëmje edhe në Pritjen Shtetërore për 12 Vjetorin e Pavarësisë.
    Gjatë ditës ka pasur dhe shumë aktivitete tjera dhe personalisht më mbet merak që nuk arrita të jem e pranishme në promovimin e pamjes së re të Obileskut NEWBORN, por koleget e mia ishin aty.

    Shumë aktivitete, shumë miq e shumë bashkëpunëtorë, ashtu si dhe raste kur do të dëshironim më ndryshe e më mire.

    Jo të gjitha aktivitetet e të gjitha takimet u pëlqejnë të gjithë qytetarëve, dikush ka mendime ndryshe dhe këtë e respektoj, dikush ka zili e dikush ndoshta dhe smirë.

    Por ne kemi marrë përgjegjësi nga qytetarët, sot jemi në detyrë, në shërbim për të gjithë. Duke ruajtur parimet, duke punuar me dashuri e përkushtim për vendin.

    Shtrëngimet e duarve në aktivitete cermoniale nuk janë pajtim për gjithçka e me këdo, janë më shumë kurtoazi, por dhe tregues se ne jemi këtu, për të punuar deri në përmbushjen e premtimeve tona, deri në realizimin e synimit për një shtet zhvillimor, shtet të së drejtës e shtet social. Për një shtet të tërë me integrtet, dinjitet e sovranitet.

    Andaj, njerëz të vullnetit të mire, bashkë me ndershmëri e dashuri të punojmë për vendin! Gëzuar!

    https://www.facebook.com/anagavci/posts/10157308208369620

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!