Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet që nesër të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve që u mbajtën më 14 nëntor.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi theksoi se janë përmbyllur të gjitha proceset në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), dhe tashmë ka mbetur konfirmimi nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përmbyllur të gjitha proceset në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, në mesin e të cilave është numërimi i votave jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja e rrethana të veçanta. Tashmë ka mbetur që të shtunën të marrim konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kjo do të thotë se KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare të raundit të dytë gjatë ditës se shtunë”, tha Elezi për Reporteri.net.
Me 14 nëntor, në 21 komuna është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pas atyre që u mbajtën me 17 tetor në tërë territorin e Kosovës. /Reporteri.net/