×
  • Lajme
  • Lajme / 21 prilli

    Nesër votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri

    Reporteri
    20 Prill 2024 | 23:37

    Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Votimi më 21 prill organizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ që hartoi Qeveria e Kosovës, pas kërkesës të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023

    Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

    Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet.

    Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

    Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

    Disa shkolla refuzuan të jenë në dispozicion si qendra votimi, andaj janë bërë zgjidhje alternative.  Te Ura e Bubës në Zubin Potok janë vendosur kontejnerë si qendra alternative të votimit. Siç u raportua kontejnerë të tillë do të vendosen edhe në dy lokacione të tjera në Zubin Potok.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!