Rezultati i këtyre zgjedhjeve padyshim se nuk ishte shumë surprizë për qytetarët, pasi fituesi veçse dihej edhe më parë nga matjet që bëheshin në teren.
Por ajo që çuditi më tepër është përqindja jashtëzakonisht e ulët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një prej partive më të vjetra në Kosovë.
Por nëse kthehemi në kohë dhe shohim rezultatet e dikurshme të LDK-së, padyshim se ky rezultat është shumë i ulët dhe i cili duhet të bëjë LDK-në të reflektojë si parti.
Në vitin 2001 kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare LDK kishte arritur të fitojë 45.65%, apo 359.851 vota.
LDK kësisoj doli partia më e votuar dhe prej atyre pati mbajtur primatin si partia me përqindjen më të lartë ndonjëherë.
Pas kësaj zgjedhjet parlamentare u zhvilluan katër vite më vonë, saktësisht në vitin 2004.
Edhe këtë herë parti fituese doli LDK-ja, me 45.42% apo përkthyer në vota 313.437 vota gjithsej.
Por pak vite më vonë, saktësisht më 2007 LDK humbi zgjedhjet parlamentare dhe parti fituese doli Partia Demokratike e Kosovës me 34.3%.
Në këto zgjedhje Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të mbledhë 22.6% apo gjithsej 129 mijë e 410 vota.
Në vitin 2010 Kosova pati sërish zgjedhje të përgjithshme në të cilat kandidonin një numër i madh i subjekteve politike, por që sfidat më të mëdha për të fituar ishin në mes PDK dhe LDK-së.
Në këto zgjedhje PDK ishte sërish parti fituese, duke lënë prapa LDK-në.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2010 arriti të marrë vetëm 23.9% apo 172 mijë e 552 vota gjithsej.
Situatë e ngjashme ishte edhe në vitin 2014 ku parti fituese doli PDK dhe LDK arriti të marrë vetëm 25.24% të votave nga qytetarët e Kosovës apo 184 mijë e 594 vota.
Por pikërisht nga viti 2017 kur edhe u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme anembanë vendit filloi të ndryshojë treshja e partive të para në vend.
Tashmë nuk ishin vetëm PDK dhe LDK ato që luftonin për vendin e parë, por edhe Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti.
Në këto zgjedhje LDK nuk arriti të dalë as parti e dytë por doli e tretë me radhë me 25.53% apo 185 mijë e 884 vota nga qytetarët e Kosovës.
E thuajse të ngjashëm e kishin rezultatin në zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2019.
Tanimë PDK mbeti partia e tretë me radhë në vend teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK bashkëpunuan për koalicion pas rezultateve të afërta që patën në këto zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 26% të votave apo 221.001 vota ndërsa LDK mori mbi 25% apo 206.516 vota.
Por gjithçka ndryshoi në zgjedhjet e fundit të zhvilluara më 14 shkurt, zgjedhje këto të dala pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi në votimin e Qeverisë Hoti.
Pas vendimit të Kushtetueses për mos-vlefshmërinë e kësaj vote, të njëjtët bën thirrje që u.d së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të shpallë ditën e zgjedhjeve.
Në këto zgjedhje partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 47.85% apo 378 mijë e 550 vota, pa numëruar ato me kusht dhe të ardhura nga jashtë.