Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka folur para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për propozimin evropian, Kishën Ortodokse Serbe si dhe rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sa i përket propozimit evropian, Kurti tha se për shkak të konfidencialitetit nuk e ka sjell në Kuvendin e Kosovës, por siç tha ai kryetarët e partive opozitare e kanë lexuar atë, por që sipas tij nuk ka ngelur diçka e panjohur nga ai propozim.
Kreu i Qeverisë për propozimin evropian tha se nuk është produkt i negocimit, ndërsa shtoi se ai erdhi tri javë pas takimit të 18 gushtit të vitit të kaluar, dhe se aleatët e Kosovës e dizajnuan si pako që do të avancojë në anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtarë, dhe i cili përmban njohjen de-fakto.
“E kam pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit evropian. Përmbajtjen tekstuale e kam ndarë me kryetarët e partive opozitare por jo edhe ne Kuvend, ndonëse besoj që pas shumë muajve, pothuajse asgjë ska ngelur e panjohur nga ai propozim, që paraqet bazën e mirë për diskutime të mëtutjeshme qe fillojne te hënën që vjen. Nuk është produkt i negocimit propozimi, me që me 18 gusht të vitit të kaluar, është hapur tema e kornizës përgjithshme të marrëveshjes pa pasur takime, temë meqë pala tjeter nuk ka qenë e gatshme për të”, tha Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Tri javë pas atij takimi vjen propozimi, nuk është qe ne kemi negociuar dhe ka ardhur propozimi. Nuk është që ne kemi negociu, e propozimi ka ardhur. Nuk është produkt i kërkesave të palëve. Nuk është që kam kërku diçka e është aty. Aleatet e Republikës së Kosovës e kanë dizajnu si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, dhe i cili përmban njohjen de-fakto, e gjithë kjo bazuar në kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri.
Kreu i Qeverisë gjithashtu foli edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa shtoi se po ta dinin deputetët se nuk do të kishte liberalizim nuk do ta ratifikonin.
“Po ta dinin deputetët më 21 mars të vitit 2018-të që edhe pas ratifikimit nuk do të ketë liberalizim të vizave nuk do t’i kishte 80 vota. Një votë po të mungonte nuk do të bëhej”, tha Kurti.
“I kemi pasur dy komisione me misione të ndryshme. Komisioni i Malit të Zi e ka pasur caktimin e kufirit, Komisioni i Kosovës e ka pasur mision shënjimin e kufirit. Ne kemi thënë se duhet të presim pak se duhet korrigjim para se të bëhet”, tha ai.
Tutje Kurti tha se do të pres momentin e përshtatshëm për t’u bërë korrigjimi me të.
“Unë nuk dua ta bartë gabimin e qeverive të kaluara. Ne do ta presim momentin e përshtatshëm që ta bëjmë korrigjimin. Tani në Podgoricë e kemi një kryeministër në detyrë dhe së shpejti do të ketë edhe zgjedhjet për president”, tha ai.
Por, në Kuvendin e Kosovës, i pari i Qeverisë foli gjithashtu edhe për Kishën Ortodokse Serbe, për të cilën ai tha se formalizmi i statusit të saj do të bëhet, apo është bërë përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare të Kosovës me ligjin përkatës.
Ai theksoi se formalizmi i statusit të Kishës-Ortodokse do të bëhet, apo është bërë përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare të Kosovës me ligjin përkatës.
“Shteti jonë nuk refuzon të respektojë të drejtat e njeriut për asnjë njeri. Pra është produkt i negociatave të Vienës, e propozim nga Ahtisari e një standard i tillë është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, pavarësisht asokohe të kundërshtimit tim dhe subjekti që unë udhëheq. Pra këtë s’mund ta ndryshojë sepse e kam trashëguar”, shtoi ai.
Kurti tha “se asgjë e veçantë apo historikisht kontestueshme që ka të bëjë me këtë kishë s’do të pranoja asnjëherë të përfshihet në një marrëveshje të tillë”.
“Një element te tillë e kam trashëguar. Mund t’ju garantoj asgjë e veçantë që ka të bëjë me Kishën nuk do të pranoja të përfshirjes në marrëveshje sikur kjo. E kam shpjeguar që ai nuk është produkt i negocimit”./Reporteri.net/