×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga sot Policia e Kosovës kthehet në orar të rregullt të punës

    Reporteri
    21 Shtator 2020 | 15:04

    Policia e Kosovës prej ditës së sotme do t’i kthehet orarit të rregullt tetë orësh të punës.


    Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online “Reporteri.net”, drejtori i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti.

    “Prej sot të gjitha njësitet e Policisë së Kosovës të përfshira në Urdhërin Operativ janë kthyer në orar 8 orësh.”, ka thënë Ahmeti për Reporterin.

    Ahmeti ka shtuar se të gjitha asistimet që janë dërguar nga niveli qëndror në drejtori rajonale, vazhdojnë edhe më tutje të asistojnë në stacione policore.

    Kujtojmë se më 13 qershor pas lehtësimit të masave nga Qeveria Kurti, zyrtarëve policorë u ishte rikthyer orari i rregullt prej tetë orësh .

    Por kjo nuk shkoi më gjatë se deri më 13 korrik, kur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, njoftoi se do të rikthehej orari prej 12 orëve, në mënyrë që të kishte personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante, si dhe të merren masa sipas procedurave dhe vendimeve në fuqi ndaj atyre që nuk respektojnë masat dhe vendimet anti-COVID të parapara nga institucionet shtetërore, shkruan Reporteri.net.

    Ndryshe, zyrtarët policorë nuk kanë marrë ende shtesat prej 300 eurove për muajt korrik dhe gusht.

    E për këtë arsye, Sidnikata e Policisë ka paralajmëruar protesta nëse ekzekutivi nuk përmbushë këto kërkesa dhe ato për komensimin e orëve shtesë.

    Kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi, tha ditë më parë se pakënaqësitë e Policisë janë të mëdha, sidomos për punën në pandemi e cila nuk po stimulohet nga Qeveria.

    Sipas Kamberit, deri më tash asnjë kërkesë nuk është plotësuar nga Qeveria e Kosovës.

    “Tri kërkesa janë dërguar në Qeveri, asnjë përgjigje s’kemi marrë prej ende. Policia që nga 12 marsi punon 12 orë në ditë për shkak të pandemisë Covid-19. Është një sakrificë e madhe nga policia dhe jo stimulim për Policinë e Kosovës që janë në vijën e parë në luftën kundër pandemisë. Deri tash janë infektuar mbi 600 pjesëtar dhe 10 pjesëtarë të tjerë kanë humbur betejën me këtë virus. Prandaj, stimulimi i mjekëve me nga 300 euro për korrik dhe gusht ka rezultuar pakënaqësi tek policia, pasi kjo kategori nuk është përfshirë në vendimin e fundit të Qeverisë”, thekson Kamberi.

    Katër kërkesat me prioritet të Sindikatës së Policisë janë: pako emergjente, shujtat, ligji për pensionim të parakohshëm dhe sigurimi shëndetësor, shkruan Reporteri.net.

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë priti në takim Këshillin Drejtues të Sindikatës së Policisë, për të vlerësuar përmbushjen e kërkesave të cilat janë drejtuar kohë më parë në Qeveri.

    Sindikata e Policisë bëri të ditur se në takimin me kryeministrin ku morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, morën zotimin për realizimin e kërkesave të paralajmëruara ditë më parë nga kjo Sindikatë.

    “Bazuar në këtë Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës merr vendim që brenda këtij muaji ti mbaj takimet e radhës , ku do të diskutohet për realizimin e zotimeve të premtuara nga ana e Qeverisë të Republikës së Kosovës se deri ku janë arritur”, njoftoi Sindikata e PK-së.

    Gjithashtu u theksua se duke pasur parasysh vullnetin dhe premtimin ne përmbushjen e kerkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës, si dhe duke vlerësuar situatën aktuale pandemike në të cilën gjendemi, Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së, ruan të drejtën për protestë, pas vlerësimit të situatës në realizmin e kërkesave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!