Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional, saktësisht tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.
Lënda është dorëzuar në Kushtetuese nga Shkëmb Manaj. Manaj tha se në kërkesë nuk është përfshirë masa e përkohshme, por se kjo mbetet në dorë të Kushtetueses, shkruan Reporteri.net.
Ai kërkoi nga Kushtetuesja që ta trajtoj sa më shpejt këtë rast, që të formohen institiucionet.
“Nuk ka vullnet politik që mund ta ndryshojë rendin e ditës së seancës së Kuvendit. Prandaj kërkojmë nga Kushtetuesja që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të kthehet normaliteti sa më shpejt”, tha Manaj para gazetarëve.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses. Dje ka dështuar përpjekja e 41’të për konstituim.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera parlamentare.
Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, u angazhua sërish presidentja Osmani. Osmani i priti të mërkurën Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.
Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit./Reporteri.net/
Ngërçi në Kuvend përfundon sërish në Kushtetuese, PDK e dorëzon kërkesën për tri seancat e fundit