×
  • Lajme
  • Lajme / 15 maj, ora 13:00

    Ngërçi në Kuvend, Osmani i fton krerët e partive politike për takim të enjten

    Reporteri
    12 Maj 2025 | 14:27

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas ngërçit në Kuvend, ka ftuar për takim konsultativ të enjten, më 15 maj, krerët e partive politike.

    Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    Ai tha se takimi është thirrur për në ora 13:00.

    Presidentja Osmani, pas thirrjes së PDK-së dhe AAK-së, ishte shprehur e gatshme për t’i pritur në takim liderët e partive politike, “në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë”.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, kishte deklaruar Bekim Kupina, javën e kaluar.

    Partia Demokratike e Kosovës edhe të dielën pas dështimit të seancës konstituive u shpreh e gatshme për çfarëdo takimi që ka të bëjë me zhbllokimin e Kuvendit.

    Kreu i saj, Memli Krasniqi theksoi se Presidentja Osmani mund të marrë një rol tani, duke organizuar një tryezë takimi për situatën e krijuar.

    “Presidentja mund të marrë një rol, të paktën për të organizuar atë tryezë të cilën e kemi hamendësuar edhe ne. I takon asaj që të vendos kur. PDK e dini që në çfarëdo takimi që mund të ndërlidhet me zhbllokimin e situatës, do të marrë pjesë”, deklaroi të dielën Krasniqi.

    Nisma e PDK-së për takim ishte përkrahur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar mbështetje për një qasje të bashkërenduar në përballimin e sfidës institucionale.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!