Nisma Socialdemokrate duket se nuk e ka pritur mirë lajmin se ish-ministri i saj, Bajram Hasani, do të aderojë në AAK-në e Haradinajt.
Kjo pasi, ditën e njëjtë kur Reporteri.net raportoi për kalimin e Hasanit në AAK, Ministria që drejtohet nga Endrit Shala i NISMA-s ka ushtruar padi.
Siç kuptohet nga dokumentet e publikuara nga Ministria, ish-ministri Hasani është paditur për disa para që i ka marrë si paradhënie për udhëtime në kohën kur ushtronte postin e ministrit, shkruan Reporteri.net.
Në dokumentin e Ministrisë, thuhet se Bajram Hasani nuk kishte kthyer 2 mijë e 232 euro.
Ndërkaq, Hasani e ka cilësuar si hakmarrje këtë padi nga Ministria që dikur drejtonte. Ai thotë se njerëzit e NISMA-s po përdorin institucionet për t’iu hakmarrë, siç thotë ai, duke shpifur.
Hasani ka publikuar faturat e këtyre pagesave që Ministria pretendon se u dhanë si paradhënie, duke thënë se këto ishin pagesa të rregullta që Ministria i ka fshehur qëllimshëm.
“NISMA Socialdemokrate ka nisur një fushatë tejet të egër dhe të ulët ndaj meje si shenjë hakmarrjeje për largimin tim nga kjo parti. Duke i shfrytëzuar institucionet shtetërore ata po provojnë të më akuzojnë se kinse si kam arsyetuar 2 mijë e 300 euro. E para të gjitha faturat për këto mjete janë fshehur qëllimshëm”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, Hasani dje nuk pranoi të fliste për Reporterin për kalimin e tij në AAK, duke thënë se nuk mund të konfirmojë asgjë.
Ndërkohë, NISMA dhe AAK kanë pasur një mori përplasjesh ditëve të fundit, pasi deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se “çarshia po flet që Limaj do të bashkohet me PDK-në”.
Ndryshe, duhet theksuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë udhëhiqet nga njerëzit më të afërt të Fatmir Limajt, Endrit Shala dhe Durim Limaj, që është djali i kryetarit të partisë./Reporteri.net