Një delegacion tjetër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, po qëndron në Kosovë, në një vizitë faktmbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky delegacion u prit nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, të cilët kërkuan anëtarësim më të shpejt të Kosovës në KiE.
Gërvalla njoftoi delegacionin e BE-së për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës si dhe progresin e shënuar në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, progres ky i vlerësuar lartë edhe nga organizatat e pavarura ndërkombëtare.
Në vazhdim, Gërvalla theksoi nevojën e anëtarësimit të plotë dhe të shpejtë të Republikës së Kosovës në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, me të cilën Republika e Kosovës ndan vlera të përbashkëta.
Duke shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në fazat vijuese të anëtarësimit, ministrja Gërvalla nënvizoi edhe përfitimin që qytetarët e Kosovës, pa dallim, do t’i gëzonin nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate, me theks të veçantë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Takimi i ministres Gërvalla me delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është njëri nga takimet e shumta që ajo dhe zëvendësministri Ahmeti kanë zhvilluar si përpjekje për të rritur përkrahjen e plotë dhe të palëkundur deri tek anëtarësimi përfundimtar në këtë organizatë.