×
  • Lajme
  • Lajme

    Një ditë para takimit Osmani-Abdixhiku, nga LDK japin sinjale se mund ta mbështesin Vjosa Osmanin për Presidente

    Reporteri
    23 Mars 2021 | 23:34

    Autor: Lira Klaiqi


    Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me qëndrim të prerë për çështjen e Vjosa Osmanit për Presidente. Megjithatë, një ditë para takimit të nesërm mes Vjosa Osmanit dhe kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhikut, janë dhënë sinjalet se ish-partia e kandidates për Presidente mund të këtë votë për të në Kuvend.


    Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, si anëtar i saj, ka thënë se do të votojë pro, në kryesinë e LDK-së, që Vjosa Osmani të mbështetet nga partia e Lumir Abdixhikut për Presidente.

    “Nuk kam drejtë vote në Kuvend por në kryesinë e LDK pa dyshim vota ime do të jetë konstruktive për themelimin e institucioneve, vota ime do të jetë në harmoni me zërin e qytetarëve e Kosovës dhe padyshim që do të jetë pozitiv për t’u përzgjedhur Osmani presidente pasi thash që LDK-ja nuk do të bëj gabimet e kaluara. LDK nuk duhet të votë kundër Vjosa Osmanit për presidente”, tha Tahiri sonte në Debat Plus.

    E pikërisht për këtë çështje, para se të mbledhë kryesinë, Lumir Abdixhiku, nesër në ora 14:00, pritet ta takojë ish-bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmani. 

    Disa orë para këtij takimi, në ATV për çështjen e votimit të Vjosa Osmanit për shefe të shtetit, ka folur edhe nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri.

    Ndonëse nuk e ka definuar qëndrimin e tij nëse LDK-ja, sipas tij, duhet ta mbështesë Vjosa Osmanin në synimin e saj për Presidencë, Haziri ka thënë fjalë të mira për ish-bashkëpartiaken e tij.

    Nënkryetari LDK-së, tha se beson që kandidatja për presidente, Vjosa Osmani është figurë përbashkuese.

    Haziri e vlerësoi Osmanin për përkushtim të veçantë në luftën kundër kapjes së shtetit.

    Lutfi Haziri tha se Vjosa Osmani nuk ka nevojë shumë me e bind LDK-në për ta votuar, pasi LDK e njeh mirë profilin e saj politik.

    “Ne i kemi thënë kryeministrit s’kemi punë me ty, por për çështjen e presidentit flasim me emrin e përveçëm dhe s’kemi nevojë me pas tjerë njerëz brenda. Ne dëshirojmë me ndërtu raporte pune në frymën kushtetuese, kurrfarë kërkese tjetër s’ka. Edhe opozita le të gjejnë rrugën e tyre, pra ne jemi as as , me asnjërën palë thjesht do të ushtrojmë rolin tonë. Duke qenë konstruktiv për shtet, duke ofru mbështetje për interes të Republikës gjithmonë”, tha Kryetari i Gjilanit në ATV.

    Por një tjetër nënkryetar i LDK-së, thotë se ende nuk e di si do të veprojë për Presidentin.

    Anton Quni në një prononcim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, ka thënë se për këtë do të vendoset brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Vendimi do të merret brenda partisë”, ka thënë shkurt deputeti Quni.

    E votën por Vjosa Osmanit për Presidente e ka deklaruar publikisht një deputete e LDK-së, pa e pritur vendimin e partisë.

    Deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se do ta votojë Osmanin për shefe të shtetit.

    Madje, ka bërë thirrje që të gjithë deputetët e LDK-së të qëndrojnë në sallë, e të veprojnë si ajo.

    “Unë personalisht mendoj se ne duhet të qëndrojmë në sallë dhe të votojmë pro zonjës Osmani sepse qytetarët mendoj që ia dhanë mundësinë që ajo të jetë presidente e Kosovës. Personalisht e kam pasur këtë qëndrim dhe vazhdoj ta mbajë të njëjtin”, tha ajo në Kanal 10. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!