×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore në Prishtinë

    Një muaj paraburgim ndaj kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi

    Reporteri
    20 Mars 2025 | 16:32

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, nga zëdhënsja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

    Të mërkurën e 19 marsit, Gazeta Online Reporteri.net raportoi për bastisje në shtëpinë e Krasniqit.

    Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, arrestuan në Gjakovë, Hasan Krasniqin.

    Specialja njoftoi se kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria në njoftim thanë se kanë sekuestruar një laptop, telefon, dy kontrata që ndërlidhen me rastin, si dhe 22 mijë euro.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë”, u tha në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.

    Dy ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.

    Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikum, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!