Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë tha të premten se më shumë se 1% e popullsisë është aktualisht e infektuar me COVID-19 dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen nëse nuk e kanë bërë ende.
Vendi konfirmoi 74,352 raste të reja ditore me COVID-19 dhe 390 vdekje. Sipas llogaritjeve të Institutit Robert Koch, rreth 925,800 njerëz në Gjermani konsiderohen të infektuar aktivë.
Ministri Jens Spahn vuri në dukje se numri i banorëve të pavaksinuar që janë të infektuar dhe të sëmurë rëndë është i lartë, raporton AP.
“Nëse të gjithë të rriturit gjermanë do të vaksinoheshin, ne nuk do të ishim në këtë situatë të vështirë”, u tha ai gazetarëve në Berlin.
Spahn foli një ditë pasi udhëheqësit federalë dhe shtetërorë njoftuan kufizime të reja të ashpra që synojnë kryesisht njerëzit e pavaksinuar, duke i penguar ata të hyjnë në dyqane, restorante, objekte sportive dhe kulturore. Qeveria planifikon gjithashtu të paraqesë vaksinimin e detyrueshëm për shqyrtim në parlament.
Rreth 68.8% e njerëzve në Gjermani janë plotësisht të vaksinuar, ndërsa qeveria ka vendosur një objektiv minimal prej 75%. Për herë të parë që nga vera, më shumë se 1 milion doza u administruan në një ditë të vetme të mërkurën.