Një komunikatë e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për takimin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it të hënën, u demantua shumë shpejt nga këta të fundit. Ani pse zyra e Kurtit tha se në takim “temë kyçe” ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, me deklaratat që bënë ambasadorët e QUINT-it rezultoi të jetë “nevoja për krijimin e Qeverisë së re”.
Një ndër temat kyçe “kriza institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurti”, e që doli të jetë ashtu siç dhe raportoi Gazeta Online Reporteri.net qysh para se të niste takimi Kurti-QUINT-i, u konfirmua edhe nga vetë ambasadorët.
Asnjëri nga ta madje nuk e përmendën fare se kanë diskutuar lidhur me proceset integruese të Kosovës, siç është anëtarësimi në KiE, qysh pretendoi ZKM-ja në komunikatën e lëshuar disa orë pas takimit.
Në takimin e së hënës, Ambasadorët i kishin theksuar Kurtit nevojën për “formimin sa më të shpejt të institucioneve të Kosovës”. Kjo kërkesë drejtuar Kurtit, u përmend nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila gjithashtu kërkoi bashkëpunim mes liderëve të partive politike.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati dhe Ambasadorët e Quint-it u takuan sot me Kryeministrin në detyrë Kurti. Gjatë takimit, ajo theksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Këto institucione janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Se në takim me Kurtin është folur për krizën institucionale, e konfirmoi edhe shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav.
Ai në një postim në “X” duke iu referuar Kurtit si “Kryeministri në largim”, tha se duhet një qeveri e qëndrueshme për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, dhe se bllokada e krijuar në Kuvend nuk i shërben askujt.
Në një linjë me të, ishte edhe përfaqësuesi nga Ambasada Gjermane.
Për takimin foli Ambasadori Jorn Rohde dhe për mesazhet që i kishte përcjellur Kurtit përmes përfaqësuesit të tij. Ai tha se Kosovës i duhet një qeveri që është e aftë për të marrë vendime.
Në tentativën për të “zbehur” mesazhet e dhëna nga ambsadorët duke mos i përmendur hiç, rreth bllokadës institucionale tash e një kohë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nga Zyra e Kryeministrit ishin “përkujdesur” që veç të theksonin se në takim me QUINT-in ishte diskutuar edhe për “zhvillimet e fundit në vend”.
Edhe pse ZKM-ja s’e kishte parë të “arsyeshme” të fliste për kërkesat kyçe të ambsadorëve të QUINT-it ndaj Kryeministrit në detyrë, britaniku Jonathan Hargreaves ia kishte bërë të qartë Kurtit se duhet formim i një qeverie të re sa më shpejt, dhe të veprohet në interes të Kosovës si dhe popullit të saj.
Një mesazh i tillë iu drejtua Kurtit edhe nga ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini.
Se formimi i një qeverie është një nga hapat e nevojshëm që Kosova të ecë përpara e tha edhe ambsadori francez, Olivier Guerot në takimin që Kurti vetë i kishte ftuar të hënën në mesditë.
Dalja nga kjo bllokadë institucionale, e cila ishte edhe ndër temat kryesore në takimin Kurti-QUINT-i, edhe pas 15 tentativash për konstituim të Kuvendit, ka dështuar.
Partia e parë fituese nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka insistuar në emrin e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare, gjë e cila është kundërshtuar në vazhdimësi nga subjektet tjera politike. Madje në seancat e fundit, VV-ja tentoi që mënyra e votimit të ndryshohej, në atë të fshehtë, por sërish nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme nga deputetët.
Për të gjetur një zgjidhje për të tejkaluar këtë ngërç në Kuvend, Presidentja Vjosa Osmani nga 15 maji, e enjte, do të nis konsultimet me partitë politike të cilët deri më tani s’kanë gjetur një “gjuhë të përbashkët” për votimin e Kryeparlamentarit dhe kalimin në hapat tjerë në konstituimin e Kuvendit.
/Reporteri.net/