×
  • Lajme
  • Lajme / Masa e sigurisë

    Njëri e theri me thikë e tjetri e nxori jashtë veturës, paraburgosen dy të dyshuarit për vdekjen e 26-vjeçarit në Prizren

    Reporteri
    09 Korrik 2024 | 14:22

    Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit lidhur me vdekjen tragjike të 26-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e therjes me thikë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se dy të dyshuarit janë nën hetimet për tri veprat penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ (që ka rezultuar me vdekjen e një personi), “Mosdhënia e ndihmës” (vepra ka rezultuar me vdekjen e një personi të rrezikuar) dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryeseve të tyre).

    Sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari E.A., do të hetohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ që ka rezultuar me vdekjen e një personi, pasi i njëjti dyshohet se ka therur me thikë viktimën 26-vjeçar.

    I pandehuri: E.A., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës (femurit) së djathtë të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e marra pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara”, thuhet në komunikatë.

    Ndërsa i arrestuari i dytë, H.B., dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë viktimës dhe të njëjtin në vend se ta dërgojë për ndihmë mjekësore në institucionet përkatëse, e ka nxjerrë jashtë veturës së tij dhe e ka braktisur në rrugë në Bazhdërhane.

    I pandehuri: H.B., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:55, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij të markës ‘……….. me targa të regjistrit: ……….., duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me anë të mjetit të rrezikshëm nga i pandehuri E.A:, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes ‘’Ortakoll’’, ku si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara viktima A.Th., ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë”, njofton Gjykata.

    H.B., përveç veprës penale ‘Mosdhënia e ndihmës’, do të hetohet edhe për veprën penale ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesëve të tyre’, pasi nuk ka njoftuar organet kompetente për ato që kishin ndodhur.

    Me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor dhe nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, si dhe për emrin e kryesit të veprës penale, megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të veprës penale”, thuhet në njoftim.

    Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit duke vlerësuar se i dyshuari E.A., nuk është shtetas i Kosovës, dhe pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe prezenca para institucioneve të drejtësisë është siguruar përmes Policisë pas hetimeve të ndërmarra.

    Ndërsa për të dyshuarin tjetër, H.B., meqë ka qëndruar i heshtur dhe i fshehur, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri mund të fshihen apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

    Po ashtu duke marrë parasysh karakteristikat personale të të dyshuarit H.B., i cili rezulton kryerës i më shumë veprave penale të natyrës së ngjashme, nga këto Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale.

    Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, përfundon njoftim i Gjykatës Themelore në Prizren.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!