Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që Ligjin për Specialen ta dërgojë sa më shpejt për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Sipas tij, koha në dispozicion është e kufizuar, pasi ekziston mundësia që legjislatura aktuale të shpërndahet brenda pak ditësh.

“Jemi këtu për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë Ligjin për Specialen në Kuvend për miratim. Kanë mbetur pak ditë kur edhe mund të shpërndahet, me gjasë, ky Kuvend”, deklaroi Gruda.

Reklamë

Përfaqësuesi i PDK-së vlerësoi se Kuvendi nuk duhet ta përfundojë mandatin pa e trajtuar këtë nismë ligjore.

Ai e lidhi miratimin e ligjit me mbrojtjen e historisë së Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar angazhim të përbashkët të forcave politike.

“Nuk i falet skenës politike që një Kuvend që është i konstituuar të shpërbëhet pa trajtuar ndoshta ligjin më të rëndësishëm, për ta miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”, tha ai.