Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë dje se nuk pret që ShBA-ja ta shohin Serbinë me sytë e tij, por që as ata nuk duhet të presin që kryeministri ta shohë Beogradin me sytë e tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një intervistë dhënë për “Public Square” me Ditmir Bushatin, kreu i ekzekutivit tha se këtë gjë ua ka bërë të qartë të gjithëve, dhe se siç tha ai ShBA-ja duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin.
“SHBA duhet të kujdesen për demokracitë në të gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu e kuptoj se kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht mund të ketë nganjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve. As nuk pret nga SHBA që ta shohin Beogradin zyrtar me me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Departamentin Amerikan me sytë e Beogradit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz që janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi me shtetin serb në veçanti.
SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, jo viktimë. Ne jemi viktimë. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin qëndrim dhe as ndjeshmëri sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit.Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, u shpreh Kurti.
Por, kjo deklaratë e Kurtit nuk i prit mirë nga opozita. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas kësaj deklarata e ka quajtur të mjerë Kryeministrin e Kosovës.
Ai tha se Kurti flet vetëm në emër të vetin, e jo në të popullit.
“Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës. Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash “mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj”! Sytë e Amerikës kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”, ka shkruar Haradinaj.
Kjo deklaratë e kryeministrit ka bërë që të reagojë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kjo e fundit ka thënë se Amerika nuk e sheh me sytë e Kurtit, Serbinë, por që as Kosovën.
Sipas Çitakut, me në sytë e Kurtit, Kosova është shkatërruar qe dy deklada.
“Po, Albin, Amerika nuk e sheh Serbinë me sytë e tu. E kuptueshme kjo. Po me sytë e tu nuk e sheh as Kosovën. Se në sytë e tu, Kosova është shkatërru qe dy dekada. Në sytë e Amerikës, Kosova është çliru, pavarësu, zhvillilu, ndërtu. Nihilist, cinik. Kaq je, dhe ke me mbetë pa asnjë rezultat”, shkroi Çitaku në një postim të bërë në Facebook./Reporteri.net/