×
  • Lajme
  • Lajme / 10%

    Oda Ekonomike Amerikane kërkon heqjen e tarifave për mallrat nga SHBA: Nismat e tilla s’duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike

    Reporteri
    04 Prill 2025 | 9:30
    (Photo by Ferdi Limani/Getty Images)

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.

    Oda Amerikane ka thënë se mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila kërkoi pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane. Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara, thonë nga Oda Ekonomike Amerikane.

    “Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike”, thuhet në komunikatë.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike.

    “Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

    Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kërkesa e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Qeverisë për pezullimin e tarifave ndaj mallrave amerikane, është kritikuar ashpër nga Qeveria. Por, kjo është vlerësuar shumë nga kongresmenë amerikanë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!