Oda Ekonomike e Kosovës, e ka mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifës për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, ka thënë për EO se janë për një epilog të kësaj çështje.
“Ne besoj që qëllimin e kemi të njëjtë, jemi të interesuar të shohim një epilog të kësaj çështje që do të duhej të ishte shfuqizimi i tarifësm pastaj modalitetet dhe rrugët janë ndoshta më pak të rëndësishme nga aspekti ekonomik, nga aspekti politi është çështje tjetër”, ka thënë ai.
Rukiqi ka bërë të ditur se nuk pret që bizneset të dëmtohen nga heqja e taksës pasi ata janë të përgatitur për një veprim të tillë dhe e kanë ditur se taksa nuk do të jetë e përherëshme.
Tutje ai ka folur edhe për paralajmërimet për reciprocitet duke thënë se ka hapësirë për këto masa dhe kjo duhet të bëhet konfrom rregullave ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme ka paralajmëruar heqjen e pjesshme të taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina.
Për këtë çështje pati reagime të ndryshme brenda vendit dhe nga faktori ndërkombëtarë, ku më i zëshmi ishte ambasadori Richar Granell i cili është edhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, sipas tij, nuk është e pranueshme heqja e pjesshme e taksës, por duhej të largohej në tërësi./Reporteri/