Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar se mbrëmë kreu i saj, Albin Kurti i ka dërguar një ofertë të re LDK-së për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë.
Por Haxhiu nuk ka treguar se për çfarë oferte bëhet fjalë, ashtu siç edhe LDK e cila ka konfirmuar ofertën por s’ka treguar detaje.
Reporteri.net ka kontaktuar me Besa Gaxherrin e cila në zgjedhjet e 6 tetorit është zgjedhur deputete nga LDK, e cila ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë oferte i është bërë partisë.
“Nuk kam informatë zyrtare, kam dëgjuar vetëm nga mediat se LDK-së i është bërë ofertë e re”, ka thënë Gaxherri për Reporteri.net.
E pyetur rreth mundësisë për shtimin e numrit të ministrive, Gaxherri ka thënë se para se të vendoset për 12 ka qenë të bëhen më shumë, por tash duhet të mbahet premtimi i dhënë për kufizimin e dikastereve qeveritare.
“Kjo çështje është e z.Kurtit, sa i përmbush pritjet e qytetarëve. Ne jemi pajtuar me shku me 12 ministri dhe jemi marrë vesh me bërë ndarjen e tyre. Kur kanë thënë se duhet vendosur për 12 ministri unë kam pasur mendimin se janë shume pak, kam qenë të bëhen 15 ose 16 se ka sektor që s’mund të bashkohen si p.sh. sporti me shëndetësi, sepse sporti e meriton me qenë në Ministri me Kulturën. Ata (kryetarët e partive) morën vendim për 12 ministri dhe duhet me mbajtë këtë”, ka thënë Gaxherri.
Megjithatë ajo ka deklaruar se dy liderët Kurti e Mustafa janë ata nëse vendosin për shtimin apo jo të numrit të ministrive.
“Po ata vendosin vet, por mos me u marrë vesh është e papranueshme, e paarsyeshme, sepse qytetarët kanë pas pritje të larta nga Kurti, dhe kjo është dëshpërim”, ka deklaruar Gaxherri.
Kujtojmë se takimi i fundit mes Kurtit dhe Mustafës ka ndodhur të enjten, ndërsa nuk ka një datë të re se kur mund të takohen sërish ata.
Kjo nuk pritet të ndodhë pa u mbledhur organet drejtuese të LDK-së ku do të shqyrtojnë ofertën e VV-së. /Reporteri.net/.