Çështja e pandemisë ka qenë temë kyç e Komisionit kuvendar për Shëndetësi në mbledhjen e tij të pare ku u vendos që ky komision të mblidhet çdo të hënë.
Që në mbledhjen e parë anëtarët e këtij komisioni nga opozita kanë drejtuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti për masat e reja si dhe për mungesën e vaksinave.
Më të zëshmit kanë qenë dy deputetët nga PDK-ja, Bekim Haxhiu dhe Uran Ismaili.
Deputeti Haxhiu ka deklaruar se qytetarët presin prej institucioneve gjegjëse të sigurojnë vaksinat.
“Sytë i kanë te qeveria, por edhe ne i kemi përgjegjësitë tona kur qeveria dështon të sigurojë ose nuk e ka pas çasjen proaktive në këtë proces, ose ka prioritete tjera. Sot sigurimi i vaksinave është prioritet numër një”, tha Haxhiu, shkruan Reporteri.net.
Por kreytarja e komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, reagoi duke thënë se qeveria prioritet të parë ka pandeminë dhe jo çështje tjera.
Kurse deputeti tjetër i PDK-së, Uran Ismaili, tha se ka një mungesë të informatave për masat e reja si dhe për vaksinën.
“Brengat e qytetarëve duhet t’i trajtojmë sepse ka një urgjencë më të madhe. Njerëzit janë të mbyllur, bizneset të mbyllura. Nuk po presim mrekulli për dy apo tre muaj, por duhet të ketë transparencë më të madhe për vaksinat dhe çështjen e masave. Drita në fund të tunelit po shihet më shumë tek disa shtete se tek ne”, ka thënë Ismaili.
Dpeuteti i PDK-së më tej ka shtuar se nëse nuk vaksinohet 70% e popullatës, nuk do të arrihet efekti te i gjithë populli, por vetëm te personi që vaksinohet.
Kurse deputeti nga AAK, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se vaksinimi është brengë e të gjithëve.
Ai ka thënë se 20 mijë vaksina janë një pikë në deti, por kritikoi edhe ritmin e ngadalshëm të vaksinimit me dozat që janë ardhur.
“20 mijë vaksina janë një pikë uji në deti, kemi arritur ata individ t’i mbrojmë me një doze, të mos shkojmë me një ritëm të ngadalshëm të vaksinimit. Me 20 mijë vaksina jemi qe dy javë të baravatemi, kur të vijnë 100 mijë çka kemi me bërë, ka me ju skaduar afati, andaj duhet mobilizim në të gjitha nivelet”, ka thënë Dreshaj, shkruan Reporteri.net.
Kurse Armend Zemaj nga LDK, lidhur me vaksinimin tha se prodhuesit e vaksinës dëshirojnë të jenë konfidencial.
“Janë disa çështje negociuese që prodhuesit dëshirojnë të jenë konfidencial dhe mund të mbajmë mbledhje të mbyllur që ta pyesim ministrin”, tha Zemaj.
Ai më tej tha se qeveria Kurti nuk është aq aktive lidhur me situatën pandemike.
“Është një heshtje e qeverisë, duhet të jenë me proaktiv, dhe kjo bën që ne (Komisioni i Shëndetësisë) të jemi më aktiv”, tha Zemaj. /Reporteri.net/.