×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    OSBE shpreh shqetësim: Miratimi i Ligjit të ri për mediat në Kosovë cenon pavarësinë e KPM-së

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 15:25

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, përcjell Reporteri.net.

    OSBE shprehet e shqetësuar lidhur me miratimin e këtij Projektligji.

    “KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

    Tutje OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

    “Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar se ndërsa mirëpresim futjen e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e mediave, vërejmë gjithashtu se, siç janë hartuar, atyre u mungon qëndrueshmëria procedurale.

    “Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.

    Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.

    Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një rishikimi të plotë, ​​gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si gjithmonë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thuhet në fund të reagimit.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, përcjell Reporteri.net.

    AGK-ja thotë se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

    “Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

    Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Komisioni parlamentar për integrim, ka deklaruar se amendamentet e projektligjit janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

    “Nuk paskam parë ndonjëherë kësi konstatimi që janë pjesërisht. Ka çështje të cilat në mënyrë universiale nuk trajtohen nga legjislacioni i BE-së, prandaj shtete i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta të tyre”, tha Konjufca./Reporteri.net/.

    Pushteti e miraton në Kuvend Ligjin për KPM-në që u kritikua nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!