×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, 26 vjet pas sot varroset edhe një 16 vjeçar

    Reporteri
    11 Korrik 2021 | 12:11

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Osmani ka thënë se bota sot kujton këtë masakër të barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.


    “Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes”, ka shkruar Osmani.

    Osmani ka theksuar se akte të tilla barabre duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë.

    “Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim”, ka shkruar Osmani.

    Postimi i plotë:

    Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

    Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

    Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

    Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

    Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

    Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

    Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!