Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në samitin e liderëve të procesit Bërdo-Brione që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka folur për masat e Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës.
Presidentja Osmani i ka quajtur të padrejta masat dhe ka thënë se po e dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në samitin e liderëve të procesit Bërdo-Brione në Tivat, theksova se masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës, përkundër faktit që Republika e Kosovës është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.”, ka shkruar Osmani në Faceboook.
Sipas saj, mbështetja e BE-së duhet të shkojë aty ku ka përkushtim të vërtetë për integrim evropian, për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, dhe jo tek satelitët e Putinit të cilët sipas saj “në mënyrë aktive punojnë drejt destabilizimit të të gjithë rajonit tonë”.