×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Serbia synon ta marrë Kosovën, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë

    Reporteri
    11 Prill 2023 | 10:31
    Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës. Foto: Die Presse

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.

    Osmani në një intervistë për The Sun tha se shqetësim për Kosovën është aleanca e ngushtë e Vuçiq me Putinin, duke i rezistuar presionit për të mbështetur sanksionet kundër Rusisë.

    Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është “thellësisht i lidhur” me Putinin, duke shtuar se Serbia synon ta marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë.

    Ajo ka thënë se Serbia po armatos dhe financon grupe paraushtarake.

    “Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan si ai i Putinit për Krimenë”, ka thënë ajo.

    Osmani ka folur për marrëveshjet e 18 Marsit në Ohër mes Kosovës e Serbisë.

    Osmani shprehu zhgënjim që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje.

    Osmani tha se kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë.

    “Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë.

    Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku ata të kuptojnë se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë, ne nuk do të kthehemi, kjo nuk do të ndryshojë”, tha Osmani në një intervistë për “The Sun”.

    Osmani shton se sa më shpejt dhe sa më shumë që partnerët tanë ta thonë këtë dhe t’ia bëjnë të qartë Serbisë, aq më mirë për Serbinë, aq më mirë për rajonin dhe sigurisht për marrëdhëniet mes dyja vendeve. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!