Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin ka folur për situatën politike në vend.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani e ka informuar Orav për takimin e nesërm me liderët e partive për dalje nga ngërçi institucional, si dhe vizitën e Kryesuesit të Këshillit të BE’së, Antonio Costa, shkruan Reporteri.net.
“Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, z. António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbledh të enjten liderët e partive, në kërkim të një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit. Ky process ka ngecur tash e një muaj. VV ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, emër që po kundërshtohet nga partitë tjera. Seanca e radhës do të vazhdojë po të enjten, në orën 10:00.
Presidenca ka konfirmuar se të gjithë liderët do të marrin pjesë në takim.
“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”, ka thënë këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.
E pas këtij takimi, ndaras nga shefat e partive shqiptare, e para e vendit i ka thirrur në takim të përbashkët edhe përfaqësuesit e partive minoritare./Reporteri.net