Presidentja Vjosa Osmani, pas zbulimit të shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, ka folur para gazetarëve për bllokimin e pikave kufitare, me ç’rast ka thënë se prapa tyre qëndron shteti serb dhe se Serbia po vazhdon t’i shfrytëzojë bandat kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës.
Osmani ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë, pasi thotë se bllokadat e vendosura po tentojnë të terrorizojnë qytetarët të destabilizojnë vendin tonë.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada”.
“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka thënë Osmani, transmeton RTK.
Për bllokadat e krijuara në pikat kufitare me Kosovën kanë reaguar edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Kujtojmë se pika kufitare në Merdarë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë e mbyllura, ndërkaq në Jarinje është raportuar se ka qarkullim të veturave.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Reporteri.net se qarkullimi në pikën kufitare në Jarinjë është e lëshuar për qarkullim.
“Në Jarinje po qarkullojnë veturat, për momentin nuk ka asnjë problem, kurse dy pikat tjera kufitare Bërnjaku dhe Merdarja vazhdojnë të jenë të mbyllura”, ka thënë Elshani.
Ai tutje ka thënë se “situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident”.
Kujtojmë se persona të maskuar janë parë mbrëmë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës në Bërnjak. /Reporteri.net/.