Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka vizituar Defender Europe’25, nikoqire e të cilit është Kosova.
Osmani ka thënë se krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s, vendi ynë po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar, shkruan Reporteri.net.
“Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë, përmes Defender Europe ’25 – një ushtrim i përmasave të jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë. Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Osmani.
Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 25”, deri më 9 qershor.
Kosova ishte paraparë të ishte nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2023, por që ishte pezulluar pastaj.
Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Tensionet patën kulmuar më 29 maj, kur protestuesit ishin përleshur me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan.
Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar këtë si një “fatkeqësi”.
“Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, kishte deklaruar Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri./Repoteri.net