Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore nesër në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK ka deklaruar se, sipas tij, zhvillimet e fundit kanë tentuar të vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me ngjarjet e viteve 1998-1999.

“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri”, deklaroi Syla.

Reklamë

Ai tha se organizatat e dala nga lufta e kanë konsideruar që nga fillimi Gjykatën Speciale si “politike” dhe procesin si të padrejtë, duke shtuar se, sipas tij, zhvillimet e fundit e kanë dëshmuar këtë qëndrim.

Syla bëri të ditur gjithashtu se organizatat e dala nga lufta planifikojnë hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët jashtë Kosovës.

“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë”, tha ai.

Sipas Sylës, do të kërkohet edhe hartimi i një strategjie kundërshtuese ndaj vendimit deri në përfundim të procesit të apelit, me përfshirjen e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera.