×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Ambasadori gjerman: S’mund të garantojmë se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje

    Reporteri
    06 Korrik 2023 | 7:27

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se ndërkombëtarët nuk mund të garantojnë gjëra, duke iu referuar mundësisë së pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, nëse ato mbahen në katër komunat veriore të Kosovës.

    “Më lejoni ta them kështu, nuk jemi kompani sigurimesh që mund të garantojnë gjëra, por ajo që po përpiqemi dhe për të cilën po punojmë është që të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në mënyrë që të arrijnë aty, na duhet shtensionim dhe natyrisht nuk po i arsyetoj këto, le të themi… këta hapa nga Beogradi që ishin sigurisht kundër frymës, bojkoti nuk është kurrë përgjigjja, por fillimisht na duhet shtensionim dhe ajo që thamë është se na duhen burrështetas, jo politika të rrezikshme, veprat simbolike nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje dhe të gjitha kërkesat e BE-së janë që nga 3 qershori dhe deri tani nuk janë realizuar”.

    “Në fotografinë e publikuar nga kryeministri dje, nga takimi i tij (Lajçakut, shën. red.) me Albin Kurtin në Twitter, nuk pashë dy pjesëmarrës të lumtur atje, pra na duhet progres më i shpejtë, sepse tensionimi mund të ndodhë shumë shpejt dhe nuk na duhet ndonjë lëndim tjetër i ndonjë ushtari të KFOR-it, nuk na duhen gazetarë të tjerë të lënduar, na duhet një zgjidhje dhe përgjegjësi dhe ky është mesazhi ynë kryesor”, tha Rohde.

    Rohde dhe Guerot: Kosova e Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën nëse duan të hyjnë në BE

    Sipas tij, ky është qëndrimi i Francës dhe kjo është arsyeja se pse Franca ka vënë shumë kapital politik në propozimin franko-gjerman, teksa tha se “jo vetëm që është propozim, por veprim diplomatik evropian dhe ka materializuar këtë marrëveshje të Ohrit.

    “Ne duam që BE-ja të vazhdojë të jetë funksionale. Më falni, është keq të them, por nuk mund ta imagjinoni me arrogancë, por BE-ja, legjislacioni i saj, themelet e saj janë të lidhura nga afër me ekonominë e të gjitha shteteve tona dhe veçanërisht shtetet themeluese, jo sepse jemi themelues, por sepse ne kemi qenë në BE për një kohë shumë të gjatë, pra një BE jofunksionale do të çonte në probleme të thella për ne, për Gjermaninë, për të gjitha shtetet që janë anëtare të BE-së”, tha ai në Rubikon në Klan Kosova.

    Më tej, Guerot tha se ata e duan një Bashkim Evropian funksional me probleme jashtë, teksa shtoi se “ne duam që Kosova të jetë brenda dhe problemet të jenë jashtë”.

    Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka cituar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili vitin e kaluar tha se është e paimagjinueshme që BE-ja të pranojë shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.

    “Pra të dyja palët e dinë se duhet të ketë normalizim të plotë, propozimi origjinal franko-gjerman u vendos në tavolinë për ta përshpejtuar normalizimin dhe ju keni njohje de-facto, por jo de-jure dhe duhet të arrijmë aty në fund, sepse qëllimi final është të pranoheni në BE”, u shpreh Rohde.

    E, për të arritur deri tek njohja de-jure, Rohde tha se duhet lëvizur shumë shpejt si në rastin e dy Gjermanive.

    “Natyrisht, këtë e ka thënë edhe kancelari im, si mund të pranosh shtete që nuk e njohin plotësisht njëra-tjetrën, por në të ardhmen e afërt na duhet të lëvizim shumë shpejtë në marrëdhëniet tona si dy-Gjermanitë në vitet e 90-ta, 70-ta dhe 80-ta, dhe e dini kjo është e bukura e propozimit që është tani propozim evropian dhe e dini, për t’u kthyer aty na duhet fillimisht shtensionimi i menjëhershëm”, deklaroi Rohde.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!