Politikani nga Beogradi, Boban Bogdanoviq, thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është përgjegjësi kryesor për situatën e tensionuar në veriun e Kosovës.
Sipas tij, Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq me urdhër të Vuçiqit po i bëjnë presion të vazhdueshëm komunitetit serb në Kosovë.
Është nga të rrallët politikan serb që e njeh pavarësinë e Kosovës.
Madje Boban Bogdanoviq, ka ardhur nga Beogradi në Prishtinë, me qëllimin të ndërtoj ura komunikimi më përfaqësuesit politik të Kosovës.
Por Bodganoviq thotë se është e pamundur të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa në pushtet është Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, ky i fundit është përgjegjësi kryesor për tensionet e krijuara në pjesën veriore të vendit.
“Situata e tensionuar gjatë muajve të fundit në Kosovë është për shkak të një personi, ai është Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai që nga fillimi nuk ka pasur vullnet që ta respektoj marrëveshjen e Ohrit, prandaj edhe po i shohim këto kriza. Është e tmerrshme së në çfarë forme ai i përdor dhe i shantazhon qytetarët serb në veriun e Kosovës, këtë formë presioni ai e kryen përmes dy kriminelëve, Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq. Qeveria e Kosovës është duke e bërë gjënë e duhur duket i luftuar grupet kriminale në veri, qytetarët serb në Kosovë duhet të ndihen te lirë”, ka thënë ai, për Tëvë 1
Bodganoviq thotë se përfundimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Megjithatë ai shprehet skeptik se Vuçiq do të pranojë një marrëveshje finale me Kosovën pa një presion serioz nga komuniteti ndërkombëtar.
“Pa presion të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë, Vuçiq nuk do të pranoj një marrëveshje përfundimtare me Kosovën. Zgjidhja më e mirë do të ishte që ky proces i gjatë të përfundonte me njohje të ndërsjellë dhe populli serb duhet të përgatitet për këtë gjë. Njohja e ndërsjellë mes të dyja vendeve do të ishte zgjidhja më e qëndrueshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shprehet politikani serb.
Kujtojmë që tensionet në veriun e vendit nisën kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë së Kosovës.