Pacolli gëzohet: Gjermania konfirmoi se po punon për liberalizimin e vizave për kosovarët

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, po qëndron në Varshavë nga ku thotë të ketë marrë një lajm të mirë nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass.


“Lajm fantastik nga ministri i jashtëm gjerman, Mass. Në Varshavë, zhvillova një takim bilateral me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Mass, i cili tashmë konfirmoi se Gjermania me të gjithë mekanizmat e saj mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Partnerë si Gjermania, kanë ndihmuar çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, ndërsa sot na mbështesin në zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli, tutje shkruan se me të kanë biseduar gjithashtu për raportet që duhet t’i intensifikojnë ndërmjet dyja vendeve.

“Gjermania si njëri ndër përkrahësit më të fuqishëm të Kosovës vazhdon mbështetjen e madhe për Kosovën. I inkurajuar jashtëzakonisht shumë me mbështetjen e madhe gjermane për, vazhdimin e dialogut me Serbinë, rëndësinë e këtyre bisedimeve dhe arritja e një marrëveshje në mes dy shteteve në afat sa më të shkurtër. Njoftova ministrin Mass për platformën e dialogut e cila ditë më parë u miratua në Kuvendin e Kosovës, dhe për gatishmërinë e palës kosovare për rifillim të dialogut. I shpreha edhe shqetësimet për kampanjën agresive dhe shpifëse të Serbisë rreth njohjeve të shtetit të Kosovës. Mass theksoi rëndësinë e takimit të datës 29 prill ku janë të ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të Angela Merkel dhe presidentit francez, Macron”, përfundon Pacolli.