×
  • Lajme
  • Lajme / Skandali i ambasadorit

    “Pak a shumë e vërtetë”, biseda ku Nagip Krasniqi ia konfirmon Dejona Mihalit përfshirjen e Martin Berishajt në dallavere me rrymë

    Reporteri
    14 Tetor 2024 | 17:14

    Platforma ‘Signal’ që njihet si më vështirë e përgjueshme, ka qenë forma më e shfrytëzuar për komunikim ndërmjet koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.

    Në komunikimet që e publikuara nga gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.

    Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

    Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.

    Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e Gazetës Online Reporteri.net, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.

    “Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat e publikuara nga mediumi.

    Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.

    Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.

    Pas artikullit të parë të publikuar nga Gazeta Online Reporteri.net, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.

    Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.

    Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihali e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.

    “A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.

    “Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.

    Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.

    “Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.

    “Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.

    “Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.

    Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.

    Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.

    “A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.

    Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Pas intervistimit, Mihali kishte deklaruar se “u ftua për ta zbardhur të vërtetën”.

    E konfirmon Prokuroria Speciale: Dejona Mihali po intervistohet në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale

    Skandali Martin Berishaj

    Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-it – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.

    Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.

    Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.

    Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

    Ndërsa një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net i publikuar në maj të vitit të kaluar kishte zbuluar afër 2 milionë Euro të hyra në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

    Në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, kishte pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i kishte tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.

    Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!