Vendimi i ri i Ministrisë së Shëndetësisë, për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve ka bërë që të krijohen grumbullime të njerëzve, sidomos nëpër marketet e vendit.
Qytetarët kanë vërshuar marketet për t’u pajisur me produkte ushqimore për një periudhë më afatgjatë, pasi që nga nesër kohën e lëvizjes do ta kenë vetëm një orë e gjysmë në ditë.
Në një video që ka siguruar Reporteri në një nga marketet e vendit shihet se qytetarët që kanë shkuar për t’u furnizuar me mallrat esenciale nuk janë duke respektuar udhëzimet për distancë e madje janë edhe pa dorëza e maskë.
Ministria e Shëndetësisë, mbrëmë njoftoi mbi vendimin e ri që kufizon lëvizjen e qytetarëve në orare të ndryshme, me qëllim që në rrugë dhe ambiente publike të ketë sa më pak prani të qytetarëve, në mënyrë që të pengohet përhapja e virusit korona.
Gjatë ditës turma të mëdha të njerëzve janë parë edhe para bankave duke rrezikuar kështu njëri-tjetrin.
/Reporteri.net