×
  • Lajme
  • Lajme

    Pako me tespi brenda Kishës së Llapushnikut, alarmoi policinë një ditë para Pashkëve

    Reporteri
    07 Maj 2019 | 14:54

    Një pako e dyshimtë është gjetur mëngjesin e 20 prillit të këtij viti brenda objektit të kishës në fshatin Llapushnik të Drenasit. Policinë e Kosovës, ka konfirmuar rastin e iniciuar si të veçantë dhe që po trajtohet nga njësitet anti-terror.


    Një pako e dyshimtë e gjetur brenda kishës së Llapushnikut ka alarmuar banorët e fshatit të Drenasit dhe Policinë e Kosovës, mëngjesin e 20 prillit – një ditë para festës së Pashkëve.

    Brenda saj u gjet një zarf, një CD dhe një palë tespi.

    E gjitha po merret si kërcënim. Dhe ky rast po trajtohet nga njësitet anti-terror të Policisë së Kosovës.

    Këta të fundit e kanë konfirmuar rastin në fjalë.

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se me 20 prill 2019 , është marr informata për mjet të dyshimtë në lokacionin në fjalë. Menjëherë thirrjes i janë përgjigjur njësitet relevante. Aty nuk është gjetur ndonjë mjet i dyshuar shpërthyes. Rasti po trajtohet nga ana e policisë”, citon portali ‘Fakte Plus’, e përgjigjen e Policisë.

    E gjetja e kësaj pakoje në kishë, sipas burimeve të këtij portali, brenda Policisë së Kosovës po konsiderohet si kërcënim serioz edhe për faktin se ka koinçiduar të ndodh vetëm një ditë para sulmeve terroriste në Sri Lanka ku mbeten të vrarë 310 persona, dhe mbi 500 të tjerë të plagosur nga tetë shpërthimet që ndodhën afërsisht në të njëjtën kohë në gjithë vendin ishullor.

    Ipeshkvia e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për rastin e gjetjes së pakos brenda objektit të kishës në Llapushnik.

    Për më tepër, rasti ishte mbajtur i fshehur edhe nga ana e Policisë, të cilët nuk e deklaruan atë në raportin 24 orësh.

    Kisha katolike në fshatin Llapushnik të Drenasit, të banuar me shumicë absolute myslimane, u inaugurua më 09 tetor 2016.

    Ndërtimi i saj kishte sjellë shumë reagime, jo vetëm të banorëve të këtij fshati, por edhe në përgjithësi mes komuniteteve fetare në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!